e hënë, 28 mars 2011

“VIP Shpija 2” nis më 1 prill


Dhjetë personalitete të njohura të skenës shqiptare tashmë janë bërë “hazër” të nisin aventurën brenda shtëpisë së vëzhguar nga kamerat. Maratona e “reality show” më të madh televiziv në vend do të nisë në ditën e parë të muajit prill. Xuxi, Haxhi Mërxha, Rovena Stefa, Qetsori i “Big Brother”, Buci i “Shpija e Kosovës”, Mariza Ikonomi, Zajmina, MC KResha dhe Elida Shasivari - Moja janë të parët që do të futen në “VIP Shpija 2”. Spektakli i parë që do t’u prijë të tjerëve do të transmetohet të premten e 1 prillit, duke filluar në orën 20:00, në kanalin më alternativ në Kosovë, Kohavision. Përmbledhjet ditore do të transmetohen nga e hëna deri të premten, duke filluar në orën 19:45, përderisa përmbledhja e fundjavës të dielën në orën 17:15.
Genc Dobroshi, regjisor në “VIP Shpija 2”, ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë reality show, i cili do të zgjasë pesë javë.
“Kemi pasur shumë kërkesa nga edicioni i kaluar për ta zgjatur ‘VIP Shpinë’ dhe këtë herë edicioni i dytë do të zgjasë një javë më shumë se sa edicioni i kaluar”, ka thënë Dobroshi, teksa ka shtuar se numri i VIP-ve që do të jenë pjesë e garës do të zbulohet më vonë.
Dobroshi ka thënë se laramania e personaliteteve që do të futen në “VIP Shpija” është e madhe.
“Jemi shumë të entuziazmuar me pjesëmarrjen e sivjetme. Ka një laramani në profesion, moshë, opinione, regjione dhe është një përbërje e mirë”, ka thënë ai.
Duke folur për “VIP Shpija 2”, Dobroshi ka identifikuar disa karakteristika në dallim me edicionin e kaluar.
“Një karakteristikë është formati i pjesëmarrjes. Disa banorë do të marrin pjesë gjatë gjithë kohës, ndërsa të tjerët, të cilët i quajmë agjentë sekretë, do të qëndrojnë nga katër ditë brenda në shtëpinë më të popullarizuar në Kosovë”, ka thënë ai, duke zbuluar edhe një tjetër element të veçantë.
“Karakteristikë tjetër është se banorët brenda shtëpisë do të punojnë për ushqimin e tyre. Pasditeve do të dalin të punojnë si taksistë dhe fansat e tyre që kanë fat mund të takohen me ta”.
Dobroshi ka shtuar se procedura e eliminimit të banorëve do të jetë e njëjtë me vitin e kaluar.
“Shikuesit do të votojnë për banorin e preferuar”, ka thënë ai, duke zbuluar se moderator i spektakleve edhe këtë vit do të jetë Shuki.
Krejt në fund, Dobroshi ka siguruar që ekipi i “VIP Shpija 2” (që do të transmetohet 24 orë në Kujtesa), ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e aventurës televizive. “Shpija është gati dhe është e re, jo ajo që kemi parë deri tani. Sfidat e lezeçme të cilat do të përballen banorët gjithashtu janë gati. Jemi në fazën e përgatitjes së spektaklit të parë”, ka thënë ai.
Drejtori i programit në Kohavision, Birol Urcan, është shprehur i bindur se “VIP Shpija 2” do të zgjojë interesim të shikuesve të KTV-së.
“Duke u bazuar në përzgjedhjen e banorëve, përvojën e producentëve që e realizojnë, jam i bindur se do të jetë mjaft tërheqës për shikuesit tanë”, ka thënë Urcan.

1 koment: